Rritet numri i personave të prekur nga zgjeba, 127 raste vetëm në janar
Përgjatë muajit janar të këtij viti në Klinikën e Dermatologjisë në QKUK janë diagnostikuar 127 pacientë nga zgjeba, ku 10 nga ta janë spitalizuar në klinikë.
Derisa shifra prej 127 pacientëve të infektuar me këtë sëmundje ngjitëse është e lartë krahasuar për periudhën e njëjtë të 2023-ës dhe vitit paraprak.
Nga zhuga, siç njihet ndryshe në popull me shprehjen e huazuar nga gjuha e një shteti fqi, në ambulancat specialistike të Dermatologjisë në vitin e kaluar janë kryer 1034 vizita dhe 854 më 2022-ën
Sipas drejtuesit të klinikës, Enver Krasniqi, arsyeja kryesore e rritjes së numrit të rasteve është trajtimi jo adekuat i pacientëve, apo thënë më thjeshtë kur në një familje infektohet njëri nga anëtarët duhet të trajtohen edhe të tjerët njëkohësisht, ose përndryshe sëmundja mbetet me muaj të tërë në atë familje.
Manifestimi i ndryshimeve në lëkurë dallon te fëmijët dhe tek të rriturit, mirëpo të vegjlit janë më të prekurit derisa rastet e komplikuara duhet të mjekohen në spital.
Siç e shpjegon dermatologu, Krasniqi, bartja e këtij infeksioni nuk ka të bëjë me mungesën e higjienës bazuar në evidencat shkencore.
Skabiesi është sëmundje ngjitëse e shkaktuar nga një parazit, derisa kontakti lëkurë me lëkurë dhe përmes ndërrimit të rrobave bën që të bartet, aq më tepër në bashkësi të mbyllura si kopshte, konvikte dhe të ngjashme.