Dogana e Kosovës ka rikujtuar qytetarët dhe bizneset se, në kuadër të kompetencave të saj ligjore, zbaton masat kufizuese dhe sanksionet ndërkombëtare që janë të aplikueshme në Republikën e Kosovës.
Në një njoftim, Dogana ka bërë të ditur se këto masa zbatohen gjatë proceseve të importit, eksportit dhe transitit të mallrave.
Sipas Doganës, qëllimi i sanksioneve ndërkombëtare është parandalimi i transaksioneve dhe qarkullimit të mallrave që mund të jenë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi dhe obligimet ndërkombëtare të Kosovës.
Në kuadër të zbatimit të këtyre masave, autoritetet doganore kryejnë analiza të riskut dhe kontrolle të mallrave, subjekteve dhe transaksioneve. Gjithashtu, ndërmerren masa kur identifikohen raste që mund të lidhen me shkeljen apo shmangien e sanksioneve.
Dogana ka sqaruar se zbatimi i sanksioneve përfshin, ndër të tjera, regjimet e sanksioneve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, si dhe akte të tjera ndërkombëtare që janë të zbatueshme në Kosovë.

