941 ankesa për zyrtarët policor për gjashtë muaj, tetë të arrestuar

941 ankesa për zyrtarët policor për gjashtë muaj, tetë të arrestuar

Policia e Kosovës vlerësohet si institucioni më i besueshëm në Kosovës në bazë të raporteve të ndryshme.

Por, në gjashtë mujorin e parë të vitit 2024 me sa duket qytetarët e Kosovës janë përballur me situata të pakënaqshme me ta pasi që numri i ankesave në drejtim të zyrtarëve policor nuk është i vogël.

Sipas të dhënave që Inspektorati Policor ia ka përcjell Dukagjinit, ky institucion gjatë pjesës së parë të vitit, deri në muajin qershor ka pranuar dhe ka menaxhuar me 941 ankesa.

Prej tyre 611 ankesa që janë klasifikuar si shkelje disiplinore e 322 nga to janë përcjellë në Departamentin e Hetimeve në IPK nën dyshimin për veprimtari penale.

“Për periudhën raportuese, IPK-ja ka hetuar 77 persona (68 punonjës policor dhe 9 qytetarë) nën dyshimin se janë përfshirë në veprimtari penale, dhe me autorizim të Prokurorit të Shtetit, në zbatim të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale të Republikës të Kosovës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe organet tjera ligj zbatuese, ka arrestuar 9 persona (8 punonjës të Policisë së Kosovës dhe 1 qytetar) nën dyshimin për përfshirje në veprimtari penale, ndërsa në vazhdën e veprimeve hetimore bazuar në dispozitat e parapara të ligji, për interes të hetimit kemi rekomanduar suspendimin e 39 punonjësve policor dhe transferimin e 3 punonjësve policor,” thuhet nga Inspektorati Policor i Kosovës.

Për ish-hetuesin policor, Rrahman Sylejmani këto të dhëna janë shqetësuese duke e ditur funksionin që Policia ka.

“Sigurisht që janë shqetësuese sepse këto janë vepra penale, me kanë që janë shkelje më të lehta atëherë është dicka tjetër por janë shqetësuese për vepër penale dmth zyrtarët policor të cilët duhet të punojnë me tërë qenien e tyre për parandalimin dhe hetimin e veprave penale të jenë vet subjekt hetimi për involvim në kryerjen e veprave penale të ndryshme,” tha Sylejmani.

Inspektorati poashtu ka njoftuar se ndaj zyrtarëve policor në Prokurorinë e Shtetit, ka parashtruar 31 Kallëzime Penale, 14 raste me Raport të Veçantë dhe 1 rast me Raport Informues. Ndërsa 15 raste janë në proces të hetimit penal.