90 mijë forca të NATO-s në stërvitjen më të madhe që nga Lufta e Ftohtë
NATO ka filluar stërvitjen më të madhe ushtarake që nga Lufta e Ftohtë. Mijëra forca ushtarake pritet të lëvizin nëpër Evropë gjatë muajve në vazhdim për të demonstruar forcën përballë rrezikut nga Rusia.
Gati dy vite pas sulmit të Rusisë në Ukrainë, konflikti është shndërruar në një luftë degradimi të ngadaltë të kapaciteteve të kundërshtarit dhe NATO po i përshtatet rrezikut nga Rusia.
Këtë javë aleanca filloi stërvitjen “Steadfast Defender ‘24”. Këto janë manovrat më të mëdha ushtarake që nga Lufta e Ftohtë. Gjatë muajve në vazhdim, rreth 90 mijë forca ushtarake do të marrin pjesë në manovra në mbarë Evropën, siç u bënë në Rumani në vitin 2023. Pesëdhjetë luftëanije, tetëdhjetë avionë luftarakë dhe mbi një mijë mjete tokësore do të marrin pjesë në operacione.
“I bëjmë të gjithë këto që të sigurohemi se kemi gatishmërinë, përgatitjen dhe forcat e duhura për të eliminuar çdo mundësi keqllogaritjeje apo keqkuptimi nga Moska, në lidhje me gatishmërinë tonë për të mbrojtur çdo centimetër të territorit të NATO-s”, tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Sfida logjisitike e zhvendosjes së ushtarëve dhe pajisjeve është një pjesë jetike e stërvitjes.
“Pra si do të dërgohen atje? Dhe si do të dërgohen me shpejtësi? Pasi lufta në Ukrainë ka treguar se nëse jemi të ngadaltë, një pjesë e territorit mund të pushtohet dhe do të duhet të rimerret”, thotë Liana Fix, nga Këshilli i Marrëdhënieve me Jashtë.
Suedia, e cila shpreson të bëhet anëtare e aleancës në muajt në vazhdim, do të marrë gjithashtu pjesë.
Kjo është stërvitja më e madhe e NATO-s që nga stërvitja “Reforger” e viteve ’80-të.
Por, ndërsa NATO tregon muskujt, aleatja e saj Ukraina ka mangësi në municion, ndërsa paketat e ndihmave nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian vazhdojnë të jenë të bllokuara nga mosmarrëveshjet politike.
“Këndvështrimi i Ukrainës është se po mbron NATO-n. Dhe kjo është një logjikë e vlefshme nëse ndjekim arsyetimin se Ukraina realisht po dëmton ushtrinë e Rusisë, se e ka zvogëluar ushtrinë e Rusisë, dhe se po ul kështu rrezikshmërinë ushtarake të Rusisë për NATO-n. Pra nga pikëpamja ukrainase, duhet të jetë një moment vetmie, ndërsa vëzhgon mbajtjen e stërvitjes së NATO-s”, thotë zonja Fix.
NATO nënshkroi këtë javë një kontratë për prodhimin e 22 mijë predhave të artilerisë për të plotësuar rezervat e vendeve anëtare, të cilat iu dërguan Ukrainës. Do të duhen megjithatë dy deri në tre vite për marrjen e këtyre municioneve të reja. /VOA/