75-vjet NATO, flasin ekspertët ndërkombëtarë: Ukraina prioritet, por edhe thellimi i bashkëpunimit me Ballkanin
Aleanca ushtarake NATO përgjatë tri ditëve të korrikut, 9, 10 dhe 11, feston 75-vjetorin e themelimit të saj me një samit në Uashington, ku po marrin pjesë krerët e shteteve anëtare, bashkë me shefin e Aleancës, Jens Stoltenberg – derisa në të njëjtën kohë në shumë pjesë të botës janë duke u zhvilluar luftëra, përfshirë atë të Rusisë në Ukrainë.
Në atë se si duhet NATO t’u përgjigjet këtyre zhvillimeve apo edhe në cilën pjesë të ketë fokusin më të madh, Jason C. Moyer, bashkëpunëtor në Programin “Global Europe” dhe profesionist i politikës së jashtme i specializuar në marrëdhëniet dhe sigurinë transatlantike, Bashkimin Evropian e NATO-n, për Klankosova.tv ka thënë se për shumë vende evropiane që janë pjesë të NATO-s, prioritet duhet të kenë luftën Rusi-Ukrainë.
“Ka gjithnjë e më shumë thirrje që NATO të luajë më shumë një rol në sigurimin e paqes dhe sigurisë në Indo-Paqësor. Pritet që kjo të vazhdojë të jetë në listën e temave për të diskutuar në Samitin e Uashingtonit. Për shumë vende evropiane, prioriteti kryesor i NATO-s duhet të jetë Rusia dhe të ndihmojë Ukrainën të arrijë fitoren dhe Indo-Paqësori është shumë larg zonës së operacioneve të NATO-s. Por për vende të tilla si Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca – të cilat të gjitha kanë një histori të gjatë operimi në rajon – ata shohin lidhjen midis sigurisë së Paqësorit dhe sigurisë së Atlantikut”, ka thënë Moyer.
E për të njëjtën problematikë, eksperti estonez i sigurisë, Rainer Saks, për Klankosova.tv ka pohuar se NATO duhet të fokusohet në forcimin e aftësive të mbrojtjes kolektive në çdo mënyrë të mundshme.
“NATO duhet të përmirësojë komunikimin strategjik, të përmirësojë shmangien e NATO-s dhe të demonstrojë vullnet për të kryer çdo lloj operacioni mbrojtës, çfarë nevojitet. NATO duhet gjithashtu të fokusohet në zhvillimin e kapaciteteve të industrisë ushtarake atje dhe të rrisë buxhetin e mbrojtjes në çdo shtet anëtar”, ka pohuar Saks.
Ukraina dhe Samiti i NATO-s
Fokus të madh në samitin e NATO-s në Uashiongton po merr edhe çështja e anëtarësimit potencial të Ukrainës në NATO.
Deputeti ukrainas, Oleksiy Goncharenko, për Klankosova.tv pohoi se e dinë që nuk do të ftohen për anëtarësim në NATO në këtë samit. Sipas tij, nuk ka nevojë vetëm Ukraina të bëhet pjesë e aleancës, por edhe vet aleanca ka nevojë që të ketë brenda saj Ukrainën.
“Ne e kuptojmë objektivisht që nuk do të ftohemi për anëtarësim në NATO në këtë samit. Por, çfarë mund të bëjë NATO? Për shembull, të furnizojë Ukrainën me armë. Para së gjithash, me mbrojtje kundërajrore. Rusia sulmoi dje (9 qershor) një spital për fëmijë në Kiev, ku trajtohen fëmijët me kancer. Kjo tregoi se sa e rëndësishme është për ne tani mbështetja e vendeve të NATO-s në mbrojtjen e qiejve tanë”, deklaroi Goncharenko.
Ai thotë se fqinjët më të afërt të Ukrainës, si Polonia dhe Rumania, duhet të mbrojnë jo vetëm kufirin e tyre, por edhe një pjesë të territorit ukrainas.
Kjo pasi, sipas tij, raketat dhe dronët rusë tashmë kanë fluturuar në hapësirën e tyre ajrore më shumë se një herë.
“Prandaj, për të mbrojtur veten, ata duhet të na mbrojnë ne. Por, dua të shtoj se jo vetëm Ukraina ka nevojë për NATO-n. Edhe NATO ka nevojë për Ukrainën. Sepse Ukraina sot ka ushtrinë tokësore më të fortë të Evropës së lirë. Ky është fakti. Dhe të kesh një ushtri të tillë jashtë NATO-s është një gabim i madh strategjik”, ka thënë Goncharenko.
Ballkani Perëndimor, Kosova dhe 75-vjetori i NATO-s
75-vjetori i themelimit të Aleancës e gjen NATO-n me tre shtete anëtare nga Ballkani Perëndimor – Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.
Eksperti Moyer pret nga NATO që të vazhdojë të thellojë marrëdhëniet e saj në Ballkanin Perëndimor, ndërsa shfaq pritjet që anëtari i radhës i Aleancës mund të jetë pikërisht nga ky rajon.
“Tani që Finlanda dhe Suedia janë në Aleancë, disa po pyesin se cili vend do të jetë aleati i ardhshëm i NATO-s. Është e mundur që aleati i ardhshëm të jetë nga Ballkani Perëndimor”, ka deklaruar Moyer për Klankosova.tv.
Në atë se çfarë fokusi duhet të ketë NATO karshi Ballkanit Perëndimor, eksperti estonez i sigurisë, Rainer Saks pohon se bashkëpunimi i sinkronizuar i NATO-s me Bashkimin Evropian është baza për suksesin e ardhshëm.
“Fitorja e Ukrainës kundër agresionit të Rusisë do të japë një mundësi për të gjetur zgjidhje afatgjata në stabilizimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Do të ketë mundësi për një dialog më të frytshëm me Serbinë. Por, elementët kyç në këtë proces mbeten në duart e BE-së dhe Evropa duhet të ketë një udhëheqje të fortë dhe proaktive në këtë proces”.
Saks mendon se ende nuk do të jetë i mundur anëtarësimi i Kosovës në NATO.
“Kemi parë se si statusi i vendit anëtar të NATO-s do të përmirësojë stabilitetin në rajonin e vendeve të Ballkanit. Do të mund të ishte një zgjidhje e mirë edhe për Kosovën, por ka disa shtete anëtare të NATO-s që nuk e njohin Kosovën de jure si shtet të pavarur. Përderisa kjo çështje nuk zgjidhet, do të jetë e pamundur të bashkoheni në NATO”, ka thënë Saks.