Macron shpreson në rinisjen e dialogut Kosovë-Serbi

Macron shpreson në rinisjen e dialogut Kosovë-Serbi

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë se shpreson që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të rinisë “në javët e ardhshme”.

Ai këtë deklaratë e dha gjatë një konference të përbashkët me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, pasi u pyet për kritikat e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, se kredibiliteti i Bashkimit Evropian po dëmtohet.

“Kemi kaluar shumë kohë me dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. BE-ja ka legjitimitetin të kërkojë të ketë avancime konkrete në çështjet politike”, tha Macron, gjatë vizitës së tij në Shqipëri, për samitin njëditor të Komunitetit Politik Evropian.

Ai përmendi shqetësimet e BE-së për “vështirësi politike sociale” në Kosovë e Serbi dhe tha se këto qëndrime të BE-së janë të njohura dhe nuk janë diçka e re.

“Nuk është ide e mirë kur mundohemi të përçajmë linjat, apo tentojmë të vëmë në dyshim procesin”, shtoi Macron.

Për shkak të krizave në veriun e Kosovës, që rritën tensionet mes dy vendeve, që nga shtatori i vitit 2023 në Bruksel nuk është zhvilluar asnjë rund i dialogut politik, por ka pasur vetëm bisedime në nivel të kryenegociatorëve.