Ndalja e punimeve në sheshin “Xhorxh Bush”, reagon Abdixhiku

Ndalja e punimeve në sheshin “Xhorxh Bush”, reagon Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar ashpër të dielën ndaj vendimit të një komisioni ministror, të cilin ai e akuzon për përpjekje për të bllokuar punimet në Komunën e Prishtinës.

Në një reagim të publikuar, Abdixhiku ka kritikuar atë që e quan “bllokim të qëllimshëm” të projekteve zhvillimore në kryeqytet, duke theksuar se, pavarësisht pengesave, punimet do të vazhdojnë.

“Një Komision, diku në një Ministri, me një a dy inspektorë partiakë e idhnakë, vendosë të bllokojë një Kryeqytet të tërë, me arsyet e mbrojtjes së trashëgimisë. Trashëgimi ky asfalt gërmadhë?!”, shkruan Abdixhiku.

Ai i cilësoi bllokuesit si të paaftë dhe theksoi se vetëm njerëzit që nuk dinë të punojnë përdorin bllokadën si mjet për pengim.

Postimi i plotë i Abdixhikut:

Bllokues në shtet.
Bllokues në punë!

Sot, Komuna e Prishtinës, i dha përgjigje dinjitoze bllokuesve të punës. Vazhdoj me punë! Një Komision, diku në një Ministri, me një a dy inspektorë partiak e idhnakë, vendosë të bllokojë një Kryeqytet të tanë, me arsyet e mbrojtjes së trashëgimisë.

Trashëgimi ky asfallt gërmadhë?!

Punimet vazhduan! Nuk do të ndalen!
Ai që ka mend punën nuk ndalet.
Prishtina, nuk ndalet!

Të paaftit dinë vetëm bllokadë! Për tre vite rresht kanë bllokuar në vazhdimësi Sheshin George Bush për një trashëgimi, mbikalimin në Dragodan po ashtu për trashëgimi; nënkalimin te Kuvendi sërish dhe natyrisht për trashëgimi.

Kanë bllokuar Rrugën A për një rast të humbur në fund në gjykatë; Unazën e Jashtme me mos aprovim të një kredie pothuajse falë; Planin Zhvillimor Komunal me interesa të përçudnuara bizneso-partiake, e tatimet vetanake me ligje anti-kushtetuese!

Duhesh të jesh vërtet i mbrapshtë për një sjellje të tillë. Duhesh të urresh shumë një qytet të tërë për ta bllokuar kaq shumë!

Prishtina do të fitojë.
Edhe tash, edhe në vjeshtë!

Puna le të vazhdojë!
Puna, do të vazhdojë! Kjo gërmadhë shpejtë do të shndërrohet në një ndër sheshet më ikonike në vend!