Shqetësim në Shqipëri lidhur me shtimin e portaleve me origjinë ruse

Shqetësim në Shqipëri lidhur me shtimin e portaleve me origjinë ruse

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Ervin Hoxha, tha se në vend janë shtuar portalet në gjuhën shqipe, që kanë origjinë ruse.

Këto deklarata ai i bëri gjatë një seance dëgjimore në Komisionin e posaçëm për koordinimin dhe mbikëqyrjen e veprimeve institucionale për të luftuar “dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike të vendit”.

“Kohët e fundit vlerësohet se infrastrukturës dezinformuese ruse në rajon i janë shtuar portale edhe në gjuhën shqipe, vazhdojnë të kenë shikueshmëri dhe lejueshmëri të kufizuar dhe numër të vogël klikimesh”, tha ministri Hoxha.

Ndërkaq, kryetari i Komisionit kundër dezinformimit, Erion Braçe, tha se shumë e vështirë që të identifikohet se kush qëndron pas këtyre portaleve, shkruan Rel.

“Jemi në dijeni të qartë të portaleve në gjuhën shqipe, por që kanë origjinë Rusinë dhe vende të tjera keqdashëse. Nuk ka instrument që të merret me portale që kanë origjinë ruse dhe që janë në gjuhën shqipe. Problem i madh mbetet dhe dezinformimi i brendshëm, nuk janë formale dhe nuk mbajnë përgjegjësi për ata që thonë”, tha ai.

Rreth dy muaj më herët, kryetari i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Tomi Frashëri, deklaroi në një nga seancat e këtij komisioni se institucioni që drejton ka mbyllur 155 domene ruse. Ai theksoi se mbyllja e tyre lidhej kryesisht me qëndrime pro luftës së Rusisë kundër Ukrainës.