Triumfojnë Malisheva dhe Gjilani

Triumfojnë Malisheva dhe Gjilani

Pas pushimit dyjavor për shkak të ndeshjeve të kombëtareve, Albi Mall Superliga është rikthyer të shtunën me dy ndeshje të javës së 14-të, ku Malisheva arriti një fitore të rëndësishme ndaj Dukagjinit, ndërsa Gjilani si mysafir dominoi përballë Feronikelit 74.

Në stadiumin “Liman Gegaj”, Malisheva realizoi fitore 2:1 ndaj skuadrës nga Klina.

Drilon Hazrollaj e kaloi Malishevën në epërsi në minutën e 19-të.

Theophilus Solomon barazoi rezultatin në minutën e 44-t, duke e mbyllur pjesën e parë në barazim.

Megjithatë, tri pikë të reja për malishevasit i siguroi Laurent Xhylani me golin e minutës së 56-të.

Malisheva ka 25 pikë dhe është në vendin e tretë, derisa Dukagjini ka 17 pikë dhe është në pozitën e shtatë në tabelë.

Në ndeshjen tjetër, Gjilani shfaqi dominim të plotë ndaj Feronikelit 74 në Drenas, duke shënuar fitore bindëse 3:0. Goli i parë erdhi herët nga Senad Jaroviq, i cili realizoi në minutën e 11-të.

Epërsia u dyfishua nga Oltion Bilalli në minutën e 21-të, ndërsa Edi Basha vulosi rezultatin përfundimtar në minutën e 62-të.

Pas kësaj fitoreje Gjilani tani ka 17 pikë dhe është në vendin e gjashtë, kurse Feronikeli 74 mbetet në pozitën e fundit në tabelë me vetëm tri pikë.