Lansohet projekti nga Këshilli i Evropës “Nxitja e kohezionit shoqëror…”

Lansohet projekti nga Këshilli i Evropës “Nxitja e kohezionit shoqëror…”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në lansimin e projektit nga Këshilli i Evropës “Nxitja e kohezionit shoqëror duke përforcuar të drejtat e minoriteteve dhe gjuhët e minoriteteve në Kosovë”.

Në fjalën e tij hyrëse, kryeministri tha se sot është një ditë e përshtatshme për të nisur çdo projekt i cili synon të ketë efekte të gjera pozitive, siç është ky sot, i cili nxit kohezionin shoqëror duke përforcuar të drejtat e pakicave dhe gjuhët e pakicave.

“Në të njëjtën mënyrë, projekti i cili po na bashkon sot – duke përforcuar të drejtat dhe gjuhët e pakicave – përshtatet me mjedisin që kemi krijuar dhe do ta ketë ndikimin e tij për shkak të sistemeve për të cilat kemi punuar e përmirësuar gjatë kohës sa jemi në qeverisje”, tha kryeministri Kurti.

Kryeministri Kurti ka përmendur përparimin që është arritur që nga opinioni i pestë i Komitetit Këshillimor, duke filluar me verifikimin e diplomave nga Universiteti i Mitrovicës së veriut dhe bazën ligjore që kemi krijuar për verifikimin edhe të diplomave të shkollave të mesme nga shkollat që marrin mësim në gjuhën serbe; pastaj aranzhimet e bëra që regjistrimi të jetë sa më gjithëpërfshirës i pakicave kombëtare me pozita të krijuara në Agjencinë e Statistikave të Kosovës për çdo komunitet joshumicë dhe afro 500 pozita për pjesëtarët e komuniteteve joshumicë si regjistrues dhe mbikëqyrës, në mënyrë që çdo familje të mund të kenë një regjistrues nga komuniteti i tyre; përmirësimin e teksteve shkollore të disponueshme për studentët boshnjakë dhe turq; dhe rishikimin e sistemit të mbështetjes për mirëqenie sociale, i cili përdoret në mënyrë disproporcionale nga komunitetet jo-shumicë – ku 11% e familjeve që marrin mirëqenie sociale janë nga komuniteti serb dhe 14% të tjerë janë nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, e në fusha të tjera. Për këtë të fundit, kryeministri tha se planifikojmë që qasja e re që po pilotojmë të inkurajojë përfituesit e pagesave të mirëqenies sociale që të kalojnë në tregun e punës si një rrugëdalje e qëndrueshme nga varfëria.

“Ne mirëpresim energjinë e re, frymëzimin e vazhdueshëm dhe mbështetjen shtesë për këto dhe procese të ngjashme që sjell ky projekt i ri”, tha ai, duke shtuar se sot ne bashkohemi me ju për të festuar këtë mundësi të re për të kombinuar përpjekjet tona për këtë qëllim gjithsesi të përbashkët.