33 shkolla refuzojnë mbajtjen e votimit në veri

33 shkolla refuzojnë mbajtjen e votimit në veri

Drejtorët e tridhjetë e tre shkollave në veri nuk kanë pranuar t’i japin për përdorim objektet shkollore për mbajtjen e votimit për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit, tha të mërkurën kreu i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Burim Ahmetaj.

Votimi për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviqit, Zveçan dhe Zubin Potok – do të mbahet më 21 prill, duke u bazuar në një udhëzim administrativ të Qeverisë së Kosovës.

Duke folur të mërkurën në një mbledhje të KQZ-së në Prishtinë, Ahmetaj tha se në përgjithësi, 33 shkolla kanë refuzuar të ofrojnë qasje në objektet e tyre për procesin e votimit.

Shkollat në veri të vendit funksionojnë sipas sistemit të dirigjuar nga Beogradi. Në zgjedhjet e prillit 2023, KQZ-ja kishte instaluar kontejnerë, që shërbejnë si qendra votimi, pasi nuk ishte lejuar hapja e shkollave si qendra të rregullta votimi.