Haziri për Kurtin: E kundërshtoi një Asociacion, po e pranon një autonomi politike në veri

Haziri për Kurtin: E kundërshtoi një Asociacion, po e pranon një autonomi politike në veri

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, e ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti, se po pranon autonomi politike në 17.3 për qind të territorit të Kosovës, duke aluduar në veriun e vendit.

Haziri, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “në gjuhen e Kurtit i bie: Ju nuk e zbatuat Zajednicen, po ua sjell Pokrainen veriore të Kosovës”.

“Tre vite as po e as Jo. Kemi marrëveshje e nuk kemi marrëveshje se nuk ështe nënshkruar. Po ju duan juve e jo neve. Kemi draft-statut e më vonë thanë nuk kemi. Është dokument zyrtar i punuar nga tre ekspertë europianë, dërgon komentet me shkrim dhe në mënyrë zyrtare kthehen prapa e thonë është Non Paper dokument dhe pa autor”, ka shkruar Haziri.

“Jo Gjykatën Kushtetuese të Republikës tonë, por Komisioni i Venecias si organ i pavarur dhe neutral. Jo draftit Europian, por një draft i ri në korniza të FES edhe atë për dhjetë ditë ishin të gatshëm ta bëjnë dhe me këtë fakt pranohet Zajednica”.

Haziri ka thënë se “tani Presidentja Osmani me garancione shtesë dhe gatishmëri që pas vendimit të Qeverisë, ajo personalisht ta dërgojë në Gjykate Kushtetuese. Ky është hapi më i madh dhe më i zbardhur si presion ndaj Kurtit si Kryeministër, i cili duhet të veprojë. Atij po i kërkohet ta sjellin vendimin për Asociacion në Qeveri”.

“Presidentja e dërgon në Kushtetuese dhe EU/task forca e implementon Zajednicën. Ndarje e re e detyrave. E kundërshtoi një Asociacion e po e pranon një Autonomi politike në 17.3 për qind të territorit të Kosovës. Në gjuhen e Kurtit i bie: Ju nuk e zbatuat Zajednicën, po ua sjell Pokrainën veriore të Kosovës!”

Haziri, në fund ka thënë se “Mërgimtarëve që u premtoi 3 milionë euro për kartonin e gjelbër e 10 milionë për kreditë për t’ua servisuar në kohën kur ata 1.2 milardë dërgojnë remitenca çdo vit Kosovës, nuk duhet me pritë që u jep asgjë tjetër pos Pokrainën në veri të vendit. Ata e duan Kosovën më shumë se premtimet e tij!”.