26-vjet nga rënia e Ilir Konushevcit dhe Hazir Malës, Kurti: Emra të artë në historinë moderne të Kosovës

26-vjet nga rënia e Ilir Konushevcit dhe Hazir Malës, Kurti: Emra të artë në historinë moderne të Kosovës

Në nderim të jetës, veprës dhe sakrificës së komandantit Ilir Konushevci dhe doktorit Hazir Mala, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në orët e paradites bëri homazhe në varrezat e dëshmorëve në Prishtinë.

Duke e kujtuar komandantin Konushevci në 26- vjetorin e rënies, Kurti tha se ai kishte një barrë të dyfishtë, sepse në njërën anë duhej ta pasonte udhëheqjen e komandantit të UÇK-së, Zahir Pajaziti dhe në anën tjetër duhej të sillte armatim nga Shqipëria.

Në vitet e ’90-ta, është dashur të bëhet shumë punë vetëmohuese për luftë çlirimtare të suksesshme. Ushtarët dhe oficerët e UÇK-së kishin nevojë për furnizim, për organizim, për strategji, për rekrutim dhe që të gjitha këto bëheshin nga disa njerëz fort të veçantë të cilët e mundësuan luftën çlirimtare dhe lirinë e Kosovës.

Në mesin e tyre ndër më të shquarit është komandanti Ilir Konushevci -Mërgimi, i cili e kishte një barrë të dyfishtë, në njërën anë ai duhej që ta pasonte udhëheqjen e Zahir Pajazitit, komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili ra heroikisht në janar të vitit 1997.

Ndërkaq, në anën tjetër duhej që pa numër herë, sa më shpesh, sa më tepër i ngarkuar të sillte armatim nga Shqipëria në Kosovë. Pushkët e lirisë që i mbanin ushtarët e UÇK-së, ishin pushkët e Ilirit, andaj kontributi i tij është i paçmueshëm sepse është i pamatshëm.

Bashkë me doktor Hazir Malën, komandanti Ilir Konushevci është emër i artë në historinë moderne të Kosovës, e cila është në themel të shtetit tonë dhe të lirisë tonë si popull”, u shpreh Kurti.