Sot tri ndeshje në ‘Euro 2024’, Shqipëria përballet me Kroacinë
Kampionati Evropian “Euro 2024” sot (e mërkurë) sjellë tri ndeshje shumë interesante.
Shqiptarët do të janë të përqendruar te ndeshja e orës 15:00, pasi Kombëtarja e Shqipërisë do të përballet me Kroacinë në kuadër të Grupit B.
Të dyja këto kombëtare e nisën keq aventurën në “Euro 2024”, pasi pësuan humbje nga Italia, përkatësisht Spanja dhe tash si Shqipëria ashtu edhe Kroacia do ta kërkojnë fitoren e parë në Evropian.
Mbrojtësi i Shqipërisë, Mario Mitaj, ka thënë se Kroacia është një kundërshtare shumë e fortë, por se kuqezinjtë kanë synime të mëdha në këtë ndeshje. “I dimë cilësitë që ka Kroacia dhe sa e fortë është. Kroacia i ka të gjitha repartet cilësore, sidomos mbrojtjen dhe mendoj se ajo do të jetë pika më e fortë e kësaj ndeshjeje. Pavarësisht humbjes, atmosfera nuk ndryshoi. Jemi shumë harmonikë si ekip. Në fund të fundit jemi në Kampionatin Evropian dhe duhet ta shijojmë në maksimum. E kemi respektuar shumë kundërshtarin. Donim të merrnim diçka më tepër nga ajo ndeshje, por në ndeshjen me Kroacinë do të futemi për të marrë më shumë se në sfidën e parë dhe, pse jo, të arrijmë një arritje historike. Ngarkesa psikologjike nuk ndikon shumë. Jemi 11 kundër 11. Në fushë le të fitojë më i mirë”, ka deklaruar Mitaj.
Edhe në këtë ndeshje pritet të jenë në stadium një numër i tifozëve shqiptarë për ta përkrahur kombëtaren e zemrës. Për ndeshjen ndaj Shqipërisë ka folur edhe sulmuesi i Kroacisë, Andrej Kramariq. Ky i fundit ka deklaruar se kroatët janë të fokusuar maksimalisht dhe kërkojnë fitore në ndeshjen ndaj Shqipërisë.
“Nuk kemi menduar se sa pikë do të na duhen për kualifikim. As nuk kemi pasur kohë për të menduar për këtë. Ndeshja më e rëndësishme është ajo e radhës dhe për ne, më e rëndësishmja është ajo ndaj Shqipërisë. Kërkojmë fitoren, duke e thënë qartë dhe shkurt. Nuk mund të llogarisim asgjë tjetër. Nga ne priten tri pikë nga kjo ndeshje. Kjo është kryesore. Më pas do të mendojmë për Italinë, por për momentin përqendrim maksimal te Shqipëria”, ka deklaruar Kramariq.
Nga ora 18:00 zhvillohet ndeshja në mes të Gjermanisë dhe Hungarisë, nga ku gjermanët presin fitoren e dytë dhe sigurimin e kualifikimit tutje.
Në anën tjetër hungarezët, pas humbjes në ndeshjen e parë nga Zvicra, do të mundohen të shkaktojnë befasi ndaj nikoqirëve të Evropianit.
Në orën 21:00 Zvicra e shqiptarëve do të përballet me Skocinë dhe në këtë ndeshje kanë synim që të marrin tri pikë dhe ta sigurojnë kualifikimin, derisa skocezët do të mundohen të nxjerrin rezultat pozitiv.
GRUPI A
18:00 Gjermani – Hungari
21:00 Skoci – Zvicra
GRUPI B
15:00 Kroaci – Shqipëri