Krasniqi thotë se zgjedhjet janë të domosdoshme

Krasniqi thotë se zgjedhjet janë të domosdoshme

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë sot se zgjedhjet e parakohshme janë të domosdoshme, për të sjellë në krye një qeveri të re kredibile.

Sipas tij, qytetarët kanë sot çdo të drejtë të ndjehen të indinjuar dhe të papërfaqësuar referuar dështimit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Qytetarët e Kosovës sot kanë çdo të drejtë të ndjehen të indinjuar dhe të papërfaqësuar. Ata dhe shteti ynë, kanë merituar më shumë – kanë merituar më mirë”.

“Prandaj, shkuarja në zgjedhje të parakohshme, krijimi i një Qeverie të re, kredibile, kompetente dhe të përgjegjshme, që e heqë Kosovën nga izolimi dhe e orienton nga integrimi i sigurt euro-atlantik – është e domosdoshme. Sot, edhe zyrtarisht ky pushtet e ka humbur legjitimitetin. Shteti ka nevojë për qytetarët dhe ata duhet ta thonë fjalën e tyre!”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Madje lideri opozitar shprehet se PDK, e ka të paalternativë rrugëtimin drejt integrimit evropian.

”Për PDK-në, rrugëtimi drejt integrimit evropian të shtetit tonë është i paalternativë. Përkushtimi ynë për drejtësi, demokraci dhe të drejta të plota për çdo qytetar të Kosovës mbetet i palëkundur”.