20 vite TKZ, Duka: Frymëzim dhe motivim për Kombëtaren, krenarë me ta
Tifozat Kuq e Zi festojnë sot 20-vjetorin e krijimit. Tifogrupi më i madh që mbështet skuadrën kombëtare dhe bën bashkë gjithë tifozët shqiptarë nën ngjyrat kuqezi, do të festojë në sheshin Skënderbej, duke nisur nga ora 18:00.
Të shumta kanë qenë urimet, mes tyre edhe nga Armand Duka, presidenti i FSHF-së, i cili thekson në postimin e tij se të palodhurit e TKZ-së kanë frymëzuar e motivuar pa pushim lojtarët e kombëtares së zemrave shqiptare.
Postimi i Dukës:
Ky fundviti, përveçse kulmoi me kualifikimin historik të Kombëtares shqiptare për në finalet Euro 2024, sjell edhe një tjetër moment të rëndësishëm. Grupimi “Tifozat Kuq e Zi” feston 20-vjetorin e themelimit. Bëhet fjalë për ata që janë prej dy dekadash, lojtari i 12-të i Kombëtares.
Nuk kanë munguar kurrë në apel. Kanë qenë gjithmonë aty. Në të mirë e në të keq, në shtëpi apo në transfertë, Tifozat Kuq e Zi kanë mbështetur pa asnjë kursim Kombëtaren shqiptare. Ata pa u lodhur, kanë frymëzuar e motivuar djemtë e skuadrës tonë të zemrës pa pushim.
Janë kthyer në një simbol e mbështetje e madhe për Kombëtaren, duke u bërë një pjesë e pandashme e saj dhe e pazëvendësueshme e saj. Na kanë bërë krenarë çdo herë dhe në çdo ndeshje, duke qenë një burim force për ekipin, por edhe për të gjithë të tjerët.