Avokatët e ish-presidentit Trump fillojnë sulmin ndaj ish-avokatit të tij Michael Cohen
Avokati mbrojtës i ish-presidentit Donald Trump përgatiti të enjten terrenin për pretendimin se Michael Cohen, i cili pritet të jetë dëshmitari kryesor i prokurorisë ndaj ish-shefit të tij, motivohet nga dëshira për hakmarrje.
Mbrojtja sugjeroi gjatë gjyqit penal në Nju Jork se Cohen, dikur avokat dhe ndërmjetës politik i të akuzuarit, u kthye kundër Trumpit kur ai u bë president në vitin 2017, pasi nuk i ofroi një punë në Shtëpinë e Bardhë.
Cohen bëri 13 muaj e gjysëm burgim në një burg federal për shkelje të ndryshme, përfshirë të ligjit për financimin e fushatave elektorale, që shërben si shtyllë kryesore në procesin ndaj Trumpit.
Cohen ende nuk ka dhënë dëshminë e tij në procesin e parë penal ndaj një ish-presidenti amerikan.
Ish-presidenti Trump akuzohet për falsifikim të të dhënave të biznesit për të fshehur pagesën e Cohenit prej 130 mijë dollarësh për aktoren e filmave pornografikë Stormy Daniels, pak përpara votimeve për zgjedhjet e vitit 2016. Prokurorët thonë se qëllimi ishte që ajo të fliste për marrëdhënien me zotin Trump të një dekade më parë, një marrëdhënie që zoti Trump e mohon.
Avokatët mbrojtës të ish-presidentit thonë se Cohen, duke u kthyer kundër zotit Trump, po kërkon të hakmerret ndaj ish-shefit të tij dhe se ai e pati paguar zonjën Daniels me dëshirën e tij dhe se Trump nuk ishte i përfshirë.
Trump thotë se pasi u bë president, e rimbursoi Cohen në vitin 2017 duke i paguar shumën që i detyrohej për punën e tij ligjore.