
“15 mars, Kosova bojkoton të gjitha supermarketet”
Iniciativa “Kosova bojkoton” ka bërë thirrje për bojkotin e të gjitha supermarketeve në Kosovë më 15 mars, për shkak të ngritjes së çmimeve.
Aktivistët e iniciativës kanë shpalosur të enjten një pankartë me mbishkrimin “15 mars, Kosova bojkoton të gjitha supermarketet”.
Xhevat Kastrati, anëtar i kësaj iniciative u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen kësaj iniciative për bojkotimin e marketeve.
Ai ka thënë se përmes bojkotit tregojnë fuqinë e tyre blerëse dhe se dërgojnë një mesazh tek marketet dhe qeveria për pakënaqësinë e tyre për rritjen e çmimeve.
“Ne jemi grupi ‘Kosova bojkoton’. Jemi grup joformal qytetarë që kemi marrë si nismë punën e rritjes së çmimeve. Kjo është një lloj proteste përmes bojkotit që jemi duke e realizuar. Thirrja për qytetarët është që t’i bashkohen nismës tonë dhe ta ngrisim zërin përmes një bojkoti, duke treguar fuqinë tonë blerëse. Kur të gjithë bashkohemi në bojkot dërgojmë një mesazh tek marketet dhe qeveria se jemi shumë të pakënaqur dhe e bëjmë një lloj presioni shoqëror për të sjell një reagim”, ka thënë Kastrati.
Këso lloj nismash për bojkotimin e marketeve janë duke u zhvilluar edhe në vendet e rajonit për shkak të rritjes së çmimeve.