Bislimi: Kosova dhe Serbia do të propozojnë zgjidhje të çështjes së dinarit
Kosova dhe Serbia, deri më 22 mars, do t’i dorëzojnë propozimet e tyre për përdorimin e dinarit serb në Kosovë, ndërsa javën e ardhshme do të takohen sërish në Bruksel për diskutimin e opsioneve, tha kryenegociatori i Kosovës në bisedimet me Serbinë, Besnik Bislimi.
Ai dhe kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, u takuan të martën me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të posaçëm të BE-së, Mirosllav Lajçak.
“Jemi pajtuar që me këtë çështje të vazhdojmë të hënën e ardhshme”, shkroi Lajçak në platformën X.
Ishte hera e parë që zyrtarë të Qeverisë së Kosovës morën pjesë në bisedime të tilla, prej se Kosova, me një rregullore të Bankës Qendrore që hyri në fuqi më 1 shkurt, ndaloi përdorimin e dinarit serb, duke e bërë euron mjet të vetëm pagese.
Çështja, pos që zemëroi Serbinë, nxiti mospajtime edhe mes Qeverisë së Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, pasi komuniteti serb në Kosovë, prej vitesh, merr pagesa në dinarë nga buxheti i Serbisë.
Diplomatë perëndimorë i kërkuan Kosovës që ta pezullojë rregulloren, për t’iu dhënë kohë qytetarëve të prekur që të përshtaten me praktikën e re.
Bislimi tha se mund të ketë një takim mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë, për t’u deklaruar rreth Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve që u arrit vitin e kaluar.
Ai u tha gazetarëve se pala serbe konfirmoi se nuk është e gatshme ta zbatojë plotësisht atë.
Sipas Bislimit, kryenegociatori serb, duke iu përgjigjur pyetjeve të shumta të Lajçakut, tha se marrëveshja me Kosovën “është problematike” për shkak të pjesës që ka të bëjë me statusin e Kosovës.
“Lajçak konstatoi se Serbia e ka problem të lëvizë në këtë drejtim dhe, rrjedhimisht, kjo do të duhej të diskutohej në një takim të ardhshëm me krerët e shteteve”, tha Bislimi.