13 ditët “në liri” që çuan në vrasjen e Faton Hajrizit
Vetëm 13 ditë i pati në “liri” pas arratisjes së tij për herën e nëntë nga burgu.
Faton Hajrizi arriti të ikte nga burgu i Smrekonicës më 6 korrik, ditën kur edhe Policia e Kosovës e shpalli në kërkim.
Përmes një postimi në Facebook, policia publikoi fotografinë e Hajrizit duke kërkuar ndihmë nga qytetarët për kapjen e tij.
“Personi i shpallur në kërkim Faton Hajrizi, sot me datën 06.07.2024, është raportuar se është arratisur nga Qendra Korrektuese në Smrekonicë të Vushtrrisë. Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës që për çdo informatë që ndërlidhet me personin në kërkim apo vendndodhjen e tije, të lajmërojë Policinë e Kosovës”, thuhej në kërkesën e policisë 13 ditë më parë.
Në ditët pasuese, vendndodhja e Hajrizit nuk dihej, ndonëse ai disa herë u fut në TikTok ku edhe komunikonte me njerëzit. Në disa video, Fatoni thoshte se “nuk ka rrezik prej tij” dhe se nuk ka ikur nga burgu për t’i bërë keq dikujt.
Të shumta kanë qenë komentet të cilat thoshin se Fatoni është “hero” dhe se shteti duhej ta lironte.
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, tha se arrestimi i Faton Hajrizit është “çështje orësh a ditësh”.
Por, nuk doli të jetë kështu.
Pak ditë më pas, në orët e para të mesnatës të së enjtes (18 korrik), mediat në Serbi raportuan për një vrasje që kishte ndodhur në Loznicë.
Një pjesëtar i policisë atje u vra dhe një tjetër u plagos. I dyshuar fillimisht ishte vëllai i Faton Hajrizit, Artani, pasi në vend të ngjarjes u gjet pasaporta e këtij të fundit.
Ky lajm ngjalli shqetësim në opinionin publik, dhe reagoi MPJ e Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, kjo ministri apeloi te mërgimtarët që të shmangin lëvizjen përmes territorit serb.
“Të dashur qytetarë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës përmes Zyrës Ndërlidhëse në Beograd po ndjek nga afër zhvillimet në lidhje me pretendimet e Ministrit të Brendshëm të Serbisë, Ivica Daçiq për një incident në magjistralen afër Loznicës në Serbi, ku pretendon që ka mbetur i vrarë një polic serb dhe i përfshirë në këtë rast sipas tij është një shtetas i Republikës së Kosovës. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do të mbajë të informuar opinionin publik për këtë rast dhe apelon te mërgimtarët dhe qytetarët e Kosovës që të rrisin kujdesin gjatë kalimit nëpër Serbi dhe sipas vlerësimit të situatës të shmangin lëvizjen përmes territorit serb”, thuhej në postim.
Të shpejta kanë qenë reagimet e mediave në Kosovë pasi “iu vërshuan” numrit të Artan Hajrizit – i njëjti numër i cili të mërkurën në mbrëmje telefonoi në emisionin “Debat Plus”, me pretendimin se personi që fliste ishte Faton Hajrizi.
Megjithatë, rezultoi se në telefon ishte një mik i Fatonit, të paktën kështu tha Artani në një lidhje direkte për emisionin “Kosova today” gjatë së enjtes.
Poashtu, sipas Artanit, Fatoni ka qenë në disa shtete të Evropës si Italia, Kroacia e Gjermania, madje shtoi se dokumentet ia vodhi vëllai kur ishte në shtëpinë e tij e ku qëndroi për rreth dy orë.
“Nuk jam pjesë e këtij rasti. Kam ardhur t’i lajmëroj dokumentet. Ka qenë dy ditë nëpër Gjermani, më ka takuar. Ka ardh dy orë ka nejt te unë, e kam pas kuletën në tavolinë, i ka marr. Më 16 korrik ka qenë të unë. Në të zezën ka ardh. Nuk e di për çfarë arsye u kthye në Serbi. Ai ka qenë në Itali, Slloveni, Kroaci, non-stop ka qenë duke qarkulluar, në Kosovë nuk ka qenë hiç”, tha Artani.
“Unë s’jam fajtor, s’kam qenë atje. Kam dëshmitarë që kam qenë në punë krejt javën. Nuk kam të bëj me ato punë. I tha vëlla kthehu, dorëzohu, të ndihmoj me avokat. Tha nuk kthehem i gjallë. Nuk ka qenë Fatoni në emision, një shoku i tij. Mua më ka thënë fol me të, i kam thënë nuk foli. Ka fol një shok i tij me telefonin tim dje. Jemi takuar në rrugë, i ka thënë fol kështu. Kontakti im i fundit me të ka qenë kur ishte këtu. Familja nuk ka asnjë të dhënë. Që dy ditë i kam humbur kontaktet. Nuk jam përzier kurrë me të”, tha më tej Artani, njofton Klankosova.tv.
Të njëjtat deklarata pak a shumë, Artani i ka bërë edhe në emisionin “Rubikon” duke thënë se e ka paralajmëruar vëllain se do ia thërriste policinë nëse nuk largohej nga banesa e tij.
“Unë foli vetëm për vete, nuk foli për askënd. As nuk më intereson se ku gjendet Fatoni, ato gjëra nuk më interesojnë. Unë nuk jam në këto rrjedha, nuk jam në këto gjëra. Dokumentet e mija, Fatoni mi ka vjedhur. Para dy ditëve. Ai, qysh në fillim ka dalë jashtë. Nuk e di me çfarë dokumente ka dalë, nuk di asgjë. Ai ka ardhur një orë, i kam thënë te unë nuk ke vend, nuk dua probleme dhe i kam thënë t’i thërras policinë ose dil jashtë”.
“I kam thënë, dil jashtë ose t’i thërras policinë se nuk dua të kem probleme. Ia më ka thënë se unë dalë se nuk e kam nijet të qëndrojë këtu, por kam ardhë vetëm t’i sqaroj disa gjëra. Unë i kam thënë se nuk ke asgjë për të sqaruar me mua. Unë dola, i thashë se ia jap një orë afat për të dalë nga banesa. Pas një ore i kam thënë se vi dhe nëse nuk del unë t’i thërras policinë dhe vijnë të arrestojnë”, tha Artan Hajrizi në Rubikon në Klan Kosova.
Nuk dihej nëse deklaratat e Artanit ishin të sakta, pasi burime të Klankosova.tv kanë thënë se ka qenë vetë ai i cili ia ka dërguar me postë pasaportën Fatonit. Megjithatë, për këtë nuk ka ende asnjë konfirmim zyrtar.
Kërkimi për Fatonin kishte angazhuar qindra forca policore në Serbi, por edhe në Bosnjën fqinje, gjegjësisht me Republika Sërpskan, pasi vendi ku ndodhi incidenti, Loznica është pranë kufirit me BeH-në. Dyshojej se Fatoni të jetë arratisur pikërisht në Bosnjë.
Por, pasditen e sotme, ministri i brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, dha lajmin se i njëjti është vrarë në afërsi të Loznicës.
Sipas mediave serbe, ai ishte duke u fshehur në ambientet e fabrikës së braktisur “Viscose” ku ishin të strehuar emigrantë. Në raportimet serbe thuhet se një vendas raportoi se kishte parë një person që ngjante me Faton Hajrizin.
Ndryshe, fjalët e fundit publike të Faton Hajrizit ishin “krejt Drenica e Klina kanë me m’ardhë në varrim”.
Siç thoshte ai në TikTok – rrjetin social ku u fut shpesh së fundmi – nuk do të kthehej më i gjallë në burg.
Për vrasjen e tij ka reaguar edhe MPJ-ja e Kosovës, e cila ka kërkuar konfirmim të identitetit të personit që u tha se është vrarë sot në Serbi. /Klankosova.tv