HomeSportReagojnë veteranët e futbollit: “Kapiteni duhet të bashkojë, jo të përçajë”

Reagojnë veteranët e futbollit: “Kapiteni duhet të bashkojë, jo të përçajë”

spot_img

Kryesia e Ligës së Veteranëve të Futbollit të Kosovës ka reaguar ndaj deklaratave dhe qëndrimeve të fundit të kapitenit të Kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani.

Në reagimin e tyre, veteranët thonë se e respektojnë kontributin e çdo futbollisti të Kombëtares, por shprehen të shqetësuar për mënyrën se si, sipas tyre, Rrahmani po komunikon për çështjet që lidhen me përfaqësuesen.

“Kapiteni nuk është vetëm ai që mban shiritin në krah. Kapiteni është ai që në momentet më të vështira qëndron përpara, bashkon ekipin dhe mbron fanellën e shtetit të tij”, thuhet në reagim.

Veteranët rikujtojnë edhe mungesën e Rrahmanit në ndeshjen ndaj Maqedonisë së Veriut, duke theksuar se, pavarësisht kësaj, ata kanë vazhduar ta përkrahin dhe ta respektojnë kontributin e tij për fanellën e Kosovës.

Sipas tyre, nëse kapiteni ka probleme apo mosmarrëveshje me persona të caktuar, ato duhet të zgjidhen përmes dialogut dhe në mënyrë institucionale.

“Ne nuk duam të fyejmë askënd dhe nuk duam ta zhvlerësojmë kontributin e askujt. Por si gjeneratë që e kemi përjetuar sakrificën, nuk mund të heshtim kur mendojmë se po preket diçka që është shumë më e madhe se secili prej nesh”, thuhet më tej.

Kryesia e Ligës së Veteranëve të Futbollit të Kosovës i ka bërë thirrje Rrahmanit që të mos lejojë që, sipas tyre, askush ta përdorë si mjet për përçarje.

Reagimi vjen edhe në kontekstin e deklaratës së Rrahmanit se “Napoli është shtëpia ime e parë”.

Veteranët thonë se e kuptojnë dhe e respektojnë lidhjen e tij me klubin italian, por theksojnë rëndësinë e Kosovës dhe fanellës së saj.

“Napoli mund të jetë shtëpia jote e parë sportive, por Kosova është shtëpia jote dhe e jona”, thuhet në reagim.

Në fund, veteranët kanë theksuar se Kombëtarja e Kosovës duhet të jetë mbi çdo individ, pozitë apo mosmarrëveshje personale.

“Kombëtarja është e Kosovës. Fanella është e Kosovës. Flamuri është i Kosovës. Dhe askush nuk është më i madh se Kosova”, përfundon reagimi i Kryesisë së Ligës së Veteranëve të Futbollit të Kosovës.

REAGIM I KRYESISË SË LIGËS SË VETERANËVE TË FUTBOLLIT TË KOSOVËS

Si Kryesi e Ligës së Veteranëve të Futbollit të Kosovës, por mbi të gjitha si pjesëtarë të gjeneratës së sakrificës, nuk mund të rrimë indiferentë ndaj deklaratave dhe qëndrimeve të fundit të kapitenit të Kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani.

Ne e respektojmë çdo futbollist që ka dhënë kontribut për Kombëtaren dhe e vlerësojmë çdo paraqitje me fanellën e Kosovës. Por pikërisht për këtë arsye na dhemb kur një lojtar që ka mbajtur shiritin e kapitenit zgjedh të flasë në një mënyrë që, sipas bindjes sonë, mund të dëmtojë imazhin dhe unitetin e Kombëtares.

Kapiteni nuk është vetëm ai që mban shiritin në krah. Kapiteni është ai që në momentet më të vështira qëndron përpara, bashkon ekipin dhe mbron fanellën e shtetit të tij.

Kapiten, mos harro se ne nuk të kemi harruar. Pavarësisht gjithçkaje, edhe atëherë kur ti nuk u bashkove me Kombëtaren në një prej momenteve më vendimtare dhe historike për Kosovën, në ndeshjen ndaj Maqedonisë së Veriut, ne përsëri të kemi përkrahur dhe kemi respektuar kontributin tënd për fanellën e Kosovës.

Pikërisht për këtë arsye, nuk po flasim sot nga urrejtja apo nga dëshira për të të sulmuar. Po flasim sepse besojmë se kapiteni i Kombëtares duhet të jetë shembull i unitetit, përgjegjësisë dhe respektit ndaj fanellës që përfaqëson.

Kapiten, ne nuk e dimë se kush janë këshilltarët që të rrethojnë dhe të shtyjnë drejt këtyre qëndrimeve, por disa prej tyre i njohim mirë. Janë njerëz që, për fat të keq, shpesh shohin vetëm problemet, vetëm të zezën dhe vetëm përçarjen. Na vjen keq të shohim që këto ndikime mund të jenë duke ndikuar edhe në mënyrën se si po e sheh sot Kombëtaren.

Ti je kapiten i Kosovës dhe pikërisht për këtë arsye ke një përgjegjësi shumë më të madhe se një futbollist i zakonshëm.

Nëse ke probleme, mosmarrëveshje apo shqetësime me dikë, është shumë më mirë të ulesh dhe t’i sqarosh ato me bisedë, me respekt dhe në mënyrë institucionale, sesa të veprosh në një mënyrë që mund të dëmtojë Kombëtaren dhe imazhin e saj.

Mos harro, kapiten, se shumë sportistë kanë sakrifikuar, kanë mbetur me gjymtyrë të dëmtuara dhe kanë dhënë gjithçka që kjo tokë të ishte e lirë. Shumë prej tyre nuk e patën mundësinë ta shohin Kosovën e lirë, të luajnë futboll të lirë dhe ta mbajnë fanellën e shtetit të tyre.

Dhe akoma më e dhimbshme është se shumë sportistë ranë dëshmorë për lirinë e Kosovës.

Prandaj, kur e vesh fanellën e Kosovës, nuk vesh vetëm një fanellë sportive. Pas saj qëndron një histori, një popull dhe një sakrificë e madhe.

Ti ke deklaruar se “Napoli është shtëpia ime e parë.” E kuptojmë dhe e respektojmë dashurinë për klubin ku je rritur profesionalisht dhe ku ke ndërtuar karrierën. Por, kapiten, mos harro kurrë se shtëpia jote është ajo tokë për të cilën është derdhur gjak, ajo Kosovë që të ka dhënë mundësinë të jetosh dhe të luash i lirë, me kokën lart dhe me flamurin e shtetit tënd.

Napoli mund të jetë shtëpia jote e parë sportive, por Kosova është shtëpia jote dhe e jona.

Prandaj ne të themi me respekt:

Mos lejo që askush të të përdorë si mjet për përçarje. Mos u bëj pion i askujt. Ti je kapiten i Kombëtares së Kosovës.

Por Kombëtarja e Kosovës duhet të jetë mbi çdo individ, mbi çdo pozitë dhe mbi çdo mosmarrëveshje personale.

Sot Kombëtarja po ndërton një gjeneratë të re. Po afrohen futbollistë të rinj, po krijohet një ekip më i gjerë dhe ne besojmë se Kosova mund dhe duhet të bëhet çdo ditë më e fortë. Në këtë moment, ajo që na duhet është bashkimi dhe mbështetja, jo përçarja.

Ne nuk duam të fyejmë askënd dhe nuk duam ta zhvlerësojmë kontributin e askujt. Por si gjeneratë që e kemi përjetuar sakrificën, nuk mund të heshtim kur mendojmë se po preket diçka që është shumë më e madhe se secili prej nesh.

Kombëtarja është e Kosovës.
Fanella është e Kosovës.
Flamuri është i Kosovës.
Dhe askush nuk është më i madh se Kosova.

Me respekt për të gjithë ata që kanë sakrifikuar për këtë vend dhe për të gjithë sportistët që edhe sot e nderojnë fanellën e Kosovës.

Kryesia e Ligës së Veteranëve të Futbollit të Kosovës.

Lajmet e Fundit

LVV vendos t’i votojë Çitakun dhe Shalën: Presim konstruktivitet për zgjedhjen e presidentit

Kryesia e Lëvizjes VETËVENDOSJE! ka mbajtur sonte një mbledhje të jashtëzakonshme, ku është diskutuar...

Laura Fazliu e pesta në Grand Slamin e Budapestit

Xhudistja kosovare Laura Fazliu e ka mbyllur në vendin e pestë garimin në Grand...

Osmani për raportet me Kurtin: Bashkëpunuam për presidentin, por dallimet mes nesh mbeten

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në Euronews Albania, ka folur për marrëdhënien e saj...

Richard Grenell: Ka mbështetje dy partiake për Hashim Thaçin në SHBA, tani është në dorën e Hagës

Emisari amerikan, Richard Grenell, ka thënë se më 16 shtator Haga do ta shpall...

Më të lexuarat

Shteti duhet të fitojë mbi pushtetin

Shkruan: Hisen Berisha Kosova po përballet me një krizë që nuk mund të shpjegohet vetëm...

Pasiguria politike ka çmim, ekonomia e Kosovës po e paguan faturën

Shkruan: Safet Gërxhaliu Nëse e shohim situatën e Kosovës në vitin 2026, ekonomia vazhdon të...

Kosovë,

Shkruan: Valon Murtezaj ka ardhur koha që të kujtojmë, dhe kuptojmë se, politika përveç që...