“1 milion euro import në ditë”, Kosova B në remont, kërkesa për rrymë e lartë për shkak të temperaturave

“1 milion euro import në ditë”, Kosova B në remont, kërkesa për rrymë e lartë për shkak të temperaturave

Ditë më parë KESCO ka njoftuar se për të mbuluar kërkesën e rritur për energji elektrike importon çdo ditë rreth 1 milion euro energji elektrike. KESCO kishte thënë se për rritjen e kërkesës për rrymë faktor është “përdorimi masiv i kondicionerëve anekënd Kosovës” pasi temperaturat kanë qenë të larta.

Këtë e tha sot edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila tha se çmimet në tregjet e energjisë janë rritur.

Ajo shton se aktualisht është rritur kërkesa për energji elektrike për shkak të temperaturave të larta dhe hyrjes në remont të rregullt të termocentralit Kosova B. Kjo siç deklaron ministrja e ka rritur nevojën për import të energjisë, ku çmimet në tregjet e energjisë shkojnë deri në 1000 euro për megavat orë.

Pavarësisht kësaj, Rizvanolli thotë se është shumë herët që të flitet nëse mund të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike, por shton se kjo është kompetencë e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE).

Rizvanolli thotë për Kosova Press se aktualisht KEK po prodhon rreth 500 megavat, ndërsa kërkesa për konsum është rreth 850 megavat energji elektrike. Ajo thotë se sa më pak që importohet energji, gjasat për të reflektuar ato në tarifa janë më të vogla.

Tjetër faktor “në rëndimin e situatës” KESCO ka thënë se është fakti që njësia B1 e KEK’ut është në remont të planifikuar njëvjetor. KESCO ka shtuar se Kosova, aktualisht, nuk po prodhon më sumë se 500 MË.

Sipas KESCO’s, çmimi për megavat është 200 euro në berzat e rajonit tonë.

“Në rëndimin e situatës po ndikon edhe fakti që njësia B1 e KEK-ut është në remont të planifikuar vjetor, duke bërë që prodhimi vendor të reduktohet me së paku 250 MË. Pra, aktualisht Kosova nuk po prodhon më tepër se 500 MË. Ndërsa, diferenca ndërmjet prodhimit dhe kërkesës po mbulohet nga importi. E edhe çmimet e importit janë rritur shumë ditëve të fundit. Në berzat e rajonit tonë çmimet po sillen mbi 200 euro për megavat. Kjo po e vështirëson shumë situatën pasi duhet blerë energji nga jashtë me kosto të shtuar”.